Anekdotat e Gaspart: U maskova si kamerier për të nënshkruar me Ronaldon

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart ka treguar për mediat vendase një anekdotë se si ka nënshkruar me “fenomenin”, Ronaldo. Ai tha se është detyruar të maskohet si kamerier dhe ka shkuar në dhomën e brazilianit për të marrë firmën në kontratë.

“Kur bëmë marrëveshjen me klubin e Ronaldos, ata u penduan. Megjithatë, Ronaldo ende nuk kishte firmosur në kontratë dhe në rast se nuk bëhej nënshkrimi i lojtarit, marrëveshja dilte e pavlefshme. Kështu, ai ishte në grumbullimin e tij me kombëtaren braziliane dhe drejtuesit e klubit të tij bënë të pamundurën dhe nuk më lejonin në asnjë mënyrë që t’i afrohesha atij.

Megjithatë, unë gjeta hotelin ku ata po qëndronin dhe u përpoqa të afrohesha, por pa mundur dot. Njerëzit që po e mbronin atë e bënin të pamundur afrimin. Kur hipa në ashensor, hyri dhe një kamerier që do të çonte një porosi në dhomën e Ronaldos. Unë u maskova si ai, mora kosin që kishte porositur dhe ia çova atij në dhomë. Kështu u takova me Ronaldon dhe ai hodhi firmën në kontratë në shtratin e tij të hotelit”. /oversport.tv