Anglia është shumë e fortë për Senegalin, në çerekfinale e pret Franca

Anglia do të përballet me Francën në çerekfinalet e Kupës së Botës, Katar 2022. “3 luanët” mposhtin pastër 3-0 Senegalin dhe kualifikohen mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit.

Senegali nis më mirë sfidën dhe I afrohet golit të avantazhit me Sarr dhe Dia. Skuadra e Southgate zgjohet pas minutës së 30-të dhe arrin të zhbllokojë ndeshjen me Henderson.

Pas shënimit të golit, Anglia dominon ndeshjen, ndërsa Senegali duket një tjetër skuadër, që nuk arrin të krijojë asnjë rast të rrezikshëm në portën kundërshtare.

Zhbllokohet edhe kapiteni Kane, që dyfishon rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë. Anglia shënon edhe golin e tretë me Saka në pjesën e dytë. Senegali duket i dorëzuar dhe anglezët administrojnë avantazhin e krijuar në minutat e mbetura. Mbyllet 3-0 një sfidë e dominuar nga Anglia, që falë këtij suksesi kualifikohet në çerekfinale, aty ku e pret Franca. /Oversport.tv