Ankth për Schumacher! Perez arrin “pole position” në Arabi, zhgënjen Hamilton

Janë zhvilluar provat zyrtare në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite midis emocionit, frikës, por edhe surprizave. Surpriza më e madhe ishte sigurisht vendi i 16-të për Lewis Hamilton, ndërsa Mick Schumacher në sesionin e dytë të provave pësoi një aksident shumë të frikshëm.

Sergio Perez sakaq arriti “pole position” dhe do të niset nga vendi i parë në garën e nesërme. Ndërkohë që dy pilotët e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.

Vetëm vendi i katërt për kampionin e botës në fuqi Max Verstappen që la pas Esteban Ocone me Alpine. George Russell me Mercedes do të niset i gjashti, ndërsa pas tij do të renditen Fernando Alonso e Valtteri Bottas. Top 10 mbyllet me Pierre Gasly dhe Kevin Magnussen.

Zhgënjim total nga Lewis Hamilton që u eliminua që në sesionin e parë të provave zyrtare. Ai nuk arriti dot shpejtësinë e duhur në xhirot e tij dhe për rrjedhojë do ta nisë garën e nesërme nga vendi i 16-të.

Ndërkohë në sesionin e dytë, vetëm pesë minuta nga fundi Mick Schumacher i futi të gjithë në ankth pas një aksidenti shumë të frikshëm në kthesën e 12-të. Megjithatë, pas disa minutash frikë, skuderia Haas lajmëroi se piloti ishte i vetëdijshëm dhe u transportua në spital për mjekim më të specializuar.

Zhgënjejnë gjithashtu dy makinat McLaren që do ta nisin garën e nesërme nga vendi i 11-të dhe 12-të, respektivisht me Lando Norris dhe Daniel Ricciardo. /oversport.tv

Foto: Formula 1, Twitter