Ansu Fati flet pas rinovimit: Realizimi i një ëndrre, asnjë nuk do të jetë si Messi

“Është një nder i madh, me vijnë në mendje shumë kujtime. E gjithë kjo është një ëndërr për mua dhe familjen time, është një emocion i madh të vazhdoj historinë time me Barcelonën, diçka që gjithmonë e kam dashur.

I jam shumë mirënjohës klubit dhe skuadrës për mbështetjen që më kanë dhënë dhe shpresoj ti shpërblej në të njëjtën mënyrë. Që ditën e parë që shkela në “Camp Nou”, kuptova se doja që të qëndroja këtu për shumë vite”.

Janë këto fjalët e para të Ansu Fati, pas rinovimit të kontratës që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2027 dhe që ka një klauzolë prej 1 miliard eurosh, për ata që duan të marrin shërbimet e sulmuesit të talentuar.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. E kam përjetuar intensivisht, por që nga dita e parë po realizoj një ëndërr”, ka thënë ylli i Barcelonës për Barca TV.

“Kam shumë rrugë për të bërë në këtë klub, në aspektin personal. Duhet të jesh gjithmonë me këmbët në tokë. Numri 10? Peshon shumë dhe me vlerësojnë për këtë, por në kokën time e kam të qartë se çfarë do të bëj.

Nuk e ndiej presionin, jam i qetë: asnjë nuk do të jetë si Messi, unë duhet të ndjek rrugën time. Ndeshja kundër Realit? Janë rivalët tanë më të mëdhenj, do të luajmë në shtëpi dhe besoj se kjo do të na favorizojë. Do të japim gjithçka, jemi Barcelona dhe duhet të fitojmë çdo sfidë”, ka përfunduar Ansu Fati. /Oversport.tv