Antonio Conte: Më mirë që vuajtëm për të fituar, si më bindi Levy

Antonio Conte e nisi me fitore aventurën e tij në krye të Tottenham dhe pas ndeshjes kundër Vitesse foli për Sky Sport Italia. Fillimisht ai u ndal te ndeshja dhe më pas foli për projektin që ka marrë përsipër, pse e pranoi ofertën dhe çfarë i ofron Tottenham atij.

FILLIMI – “Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim, pasi ndryshe do e kishim të vështirë të kualifikoheshim. Janë edhe dy ndeshje përpara, ndërsa kjo ndeshje theksoi vështirësitë e një skuadre që ishte 3-0 dhe dominonte. U desh shumë pak për të rrëzuar besimin tonë. Pësuam dy gola që mund të shmangeshin, ndërsa më pas mbetëm me 10 lojtarë dhe gjithçka mund të ndodhte. Në fund morëm tre pikët dhe kjo ishte e rëndësishme.

Më vjen mirë që fituam duke vuajtur. Mendoj se ky ekip duhet të vuajë pak për të arritur fitoren, për ta kuptuar se mund të fitosh duke vuajtur. Në të njëjtën kohë ka shumë punë për të bërë, pasi ka diferencë reale për përmirësim. Duhet të punojmë taktikisht, fizikisht, të sjellim idetë e mia të futbollit në këtë ekip. Problemi është se nuk kemi shumë kohë, pasi luajmë sërish pas dy ditësh dhe më pas kemi pushimin prej kombëtareve”.

PRITJA – “Djemtë janë të etur për të punuar, është një atmosferë e mrekullueshme. Falënderoj edhe tifozët për pritjen që më kanë thënë. Të luash në këtë atmosferë është e mrekullueshme. Dua t’ua shpërblej këtë dashuri me të vetmen mënyrë që di, duke punuar. E di që duhet të jem i durueshëm dhe të gjej kohën për ta bërë këtë punë”.

KLUBI – “Klubi ka infrastrukturë të jashtëzakonshme. Ata kanë stadiumin e tyre dhe kjo është fantastike. Terreni i stërvitjes duhet parë që ta besosh si është. Klubi ka punuar shumë mirë, tani duhet të punojmë të gjejmë një ekuilibër në aspektin futbollistik dhe t’i afrohemi nivelit të klubit. E di që mund të punoj këtu, jam i lumtur sepse e kemi mundësinë. I pari duhet të kem unë durim, sepse po e nis gjithçka nga e para”.

“Ajo që më bindi është këmbëngulja e presidentit Levy, vendosmëria e tij për të më bërë të kuptoj se ku po shkoja dhe në çfarë po futesha. Ai është një vizionar për atë që ka krijuar jashtë fushës. Në aspektin futbollistik ai donte që unë të ndihmoj skuadrën të rritet dhe të paktën të afrohemi me reflektimin e klubit, sepse ky klub është me të vërtetë i madh”, përfundoi Conte. / oversport.tv