Arapi: Dua ta fitoj çdo ndeshje edhe si trajner, Vllaznia më e rrezikshme vjet

Teuta është gati për ndeshjen me Vllazninë, e programuar të zhvillohet nesër prej orës 16:45 në “Elbasan Arena”. Në këtë ndeshje do të debutojë Renato Arapi, i cili u emërua trajner i durrsakëve pas largimit të Edi Martinit.

Tekniku i ri fillimisht tha: “Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë dëshira dhe entuziazmi që ka shfaqur ekipi. Kjo të bën të ndihesh mirë. Jam shumë i kënaqur që ekipi ka pasur dëshirë dhe entuziazëm. Jemi munduar që të ndryshojmë pak gjëra dhe ekipi ka reaguar shumë mirë.

Është e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër skuadra t’i thithë ato që kërkojmë ne. Ndryshimet e mëdha nuk është se mund t’i bëjnë mirë ekipit. Jemi munduar të kemi një skuadër të ekuilibruar, pasi ekipi ka pësuar. E kam thënë dhe kur kam qenë lojtar, nuk është faji i mbrojtjes kur pësojmë apo kur sulmojmë nuk janë vetëm sulmuesit. Do të mundohemi që të bëjmë një lojë grupi sa më të mirë”.

Arapi më pas foli për kundërshtarin e parë të tijin si trajner, Vllazninë: “Është një nga ekipet më të mira të momentit. Për mendimin tim, edicionin e shkuar ka qenë një skuadër më e rrezikshme. Megjithatë afrimet që ka bërë këtë vit janë duke bërë paraqitje të mira. Uroj t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje, pasi e kemi përgatitur në mënyrën e duhur, që gjithçka të shkojë siç e mendojmë ne”.

“Kemi dy mungesa, Aleksin, që është një nga lojtarët kryesorë të ekipit, dhe Todorovskin. Gjithsesi kemi një grup lojtarësh shumë të mirë, kushdo që do të aktivizohet ka aftësitë të zëvendësojë çdo lojtar në çdo pozicion.

Ndryshimet janë të vështira, aq më tepër në një kohë kaq të shkurtër, por këto ditë kemi punuar dhe në aspektin e mbrojtjes, diçka që e kemi pasur pak problem. Shpresojmë që ato që kam kërkuar t’i zbatojmë dhe në fushë.

Edhe kur kam qenë futbollist në çdo ndeshje kam hyrë për të fituar, pavarësisht çfarë sjell fusha e lojës. Me të njëjtin mentalitet do të futem dhe si trajner”, është shprehur Arapi në konferencën e organizuar para ndeshjes me Vllazninë. / oversport.tv