Arbi Laçi prezantohet te Dinamo: Nuk më tremb asgjë, tani të vrapojmë

Arbi Laçi ka pranuar ofertën e Dinamos për t’u bërë drejtor sportiv dhe ditën e sotme ish-drejtori i Tiranës ka dalë edhe para mediave. Laçi mes të tjerash ka deklaruar: “Është një privilegj, kënaqësi dhe sfidë për mua. Falënderoj presidentin për besimin e dhënë.

Ndihem mirë për këtë detyrë të vështirë. Nuk ka sfida të thjeshta, por më pëlqejnë sfidat. Do mundohem të ndihmoj klubin me mundësitë e mia. Kemi punë për të bërë, do të punojmë së bashku të gjitha. Jemi në një klub të madh, që i ka munguar elitës prej vitesh.

Qëllimi është që ta kthejmë Dinamon në majë, por kjo kërkon kohë. Kemi biseduar dhe ky projekt do të shtrihet në kohë. Kam kuptuar që jam bërë pjesë e një projekti fitues. Do punoj me të gjitha strukturat e klubit për të ftuar gjithçka, nga U7 deri tek ekipi i parë.

Nuk më tremb asgjë, kam besim te klubi, kam besim te ajo fanellë që mbajnë futbollistët veshur. Ka gjëra që duhen përmirësuar, me kohën duhet të vrapojmë të kapim ritmin e duhur dhe të shkojmë aty ku Dinamos i takon.

Ka nevojë për ndërhyrje për vazhdimësinë. Projekti është afatgjatë. Kemi nisur të bisedojmë për gjërat që duhen bërë. Nuk do të jemi në vend të shtatë. Nuk është koha për të bërë premtime, por për të ulur kokën e për të punuar të gjithë bashkë në mënyrë që të jemi ku na takon e na ka hije. Nuk është e thjeshtë, por është e bukur.

Të jesh klub i madh do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes. Kemi të gjithë një objektiv, ndeshjen e radhës dhe pastaj po ashtu ndeshjen e radhës. Në fund do të bëjmë llogaritë. Investimi është i madh në skuadër, sikurse dhe në infrastrukturë që është . Të vrapojmë me kohën për t’i kapur kundërshtarët e për t’i kaluar ata”. / oversport.tv