Arbitra shtesë për VAR, gati kursi për të përgatitur gjyqtarët e moviolës

VAR konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm nga Xhanluka Roki, caktuesi i arbitrave në Serie A por edhe nga Shoqata e arbitrave italianë. Për këtë arsye, gjatë muajve të verës  do të nisë një kurs për të krijuar një formacion me specialistë të moviolës që do të shërbejnë posaçërisht për të marrë vendime mbi pamjet e përsëritura në ekran.

Gjithmonë e më shumë të nevojshëm për sportin e futbollit, këtë gjyqtarë do të kenë të bëjnë vetëm me sistemin VAR, duke shqyrtuar me kujdes kënde të ndryshme të telekamerave për të analizuar me përpikmëri një episod i cili mund të jetë vendimtar për mbarëvajtjen e lojës.

“Qëllimi është formimi i një skuadre me Var-istë puro, figura që nuk kanë të bëjnë me bilbilin e që do të shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e gjykimit. Mund të gjenden mes atyre që janë tërhequr ose përmes të rinjve që mund të shfaqin karakteristikat e nevojshme- ka thënë Roki nga Muzeu i futbollit në Coverciano të Firenzes.

“Kursi do të shërbejë për të formuar arbitrin e pestë. Katër i kemi, por duan ta çojmë numrin në 10 ose më shumë, sigurisht me emra cilësorë. Nga ana tjetër duhet krijuar edhe një renditje për të rritur konkurrencën gjithmonë në përmirësim të cilësisë ë gjykimit”, ka thënë presidenti i shoqatës së arbitrave italianë Alfredo Trentalange . / Oversport.tv

Foto: A.I.A Twitter