Arbitrat dhe asistentët e “Abissnet Superiore” zbresin në fushë, iu nënshtrohen testeve fizike

Arbitrat dhe asistentët e kategorisë “Abissnet Superiore” kanë zbritur sot në fushë për t’iu nënshtruar testeve fizike në prag të nisjes së fazës së dytë të sezonit futbollistik. Nën udhëheqjen e Sektorit të Arbitrimit në FSHF dhe përgatitësve atletikë, rreth 60 arbitra kanë zhvilluar testet në ambientet e njërës prej fushave në Shtëpinë e Futbollit.

Përmes këtyre testime është konkluduar se përgatitja e arbitrave ishte mjaft e mirë duke bërë të mundur që të gjithë pjesëmarrësit t’i kalonin me sukses provimin fizik. Sakaq, përgatitjet e arbitrave të “ Abissnet Superiore” për sezonin e ri do të vijojë të shtunën me seminarin teorik, ku do të marrë pjesë edhe instruktori i UEFA-s, Costa Kapitanis.

Të gjithë arbitrat dhe asistentët pjesëmarrës do të fokusohen në pjesën teorike, duke analizuar aspekte të ndryshme të arbitrimit, situata të ndryshme të lojës me raste konkrete dhe duke u përditësuar me ndryshimet në rregulloren e arbitrimit.

Shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, duke folur për Fshf.org ka shpjeguar të gjithë procesin e përgatitjeve të arbitrave dhe programin e këtyre ditëve.

“Sot zyrtarisht komuniteti i arbitrave nis sezonin e ri futbollistik për fazën e dytë. Kjo ditë përkon me seminarin teorik dhe me testimet fizike. Më konkretisht sot po bëhen testimet fizike, që për herë të parë zhvillohen në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në një ambient të mrekullueshëm. Më tej do të vazhdojmë me ditën e dytë dhe të tretë me seminarin teorik, ku i ftuar do të jetë edhe nja nga instruktorët e UEFA-s, qiprioti Costa Kapitanis.

Në këtë seminar teorik do të diskutohet dhe evidentohen të gjitha problematikat si të kampionatit tonë, por gjithashtu do të punohet edhe me video me teste teorike ose video-teste më saktë që UEFA përdor sot për të gjithë arbitrat e niveleve të ndryshme. Sot kemi prezentë arbitrat dhe asistentët e kategorisë ‘Abissnet Superiore’, ndërsa në ditët në vazhdim do të vijojmë me pjesën tjetër të arbitrave, ato të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë”, – tha Sokol Jareci.

Sakaq, në përfundim të testeve fizike dhe seminarit teorik, do të bëhet edhe ndarja e stemave FIFA për arbitrat shqiptarë.