Janë zgjidhur dilemat edhe në grupin C dhe janë përcaktuar dy skuadrat që kualifikohen për në fazën e 1/8-ve të finales së Kupës së Botës, Katar 2022.
Argjentina nuk zhgënjen përballë Polonisë, bën detyrën dhe kualifikohet si e para e grupit. Ndërsa Meksika mposht Arabinë Saudite 2-1, por ky sukses nuk mjafton që meksikanët të kualifikohen. Ndonëse mbyllin grupin në kuotën e 4 pikëve, po aq sa Polonia, janë këta të fundit që kualifikohen në turin tjetër falë golavarazhit më të mirë.
Argjentina nuk zhgënjen në ndeshjen më të rëndësishme të grupit, mposht Poloninë 2-0, ngjitet në krye të grupit C dhe kualifikohet mes 16 skuadrave më të mira të Botërorit.
Amerikano-jugorët dominojnë pjesën e parë dhe shpërdorojnë një mundësi të artë për të kaluar në avantazh, por Messi humbet një penallti që pritet nga Szczesny. Sapo fillon pjesa e dytë Argjentina kalon në avantazh me Mac Allister, ndërsa Alvarez shënon golin e sigurisë, që i jep fitoren skuadrës së Messit.
Meksika ka fituar 2-1 përballë Arabisë Saudite ndeshjen tjetër të grupit. Gjithçka është vendosur në pjesën e dytë. Meksikanët shënojnë 2 gola dhe kërkojnë me ngulm golin e kualifikimit, por në shtesë shënojnë sauditët, që shuajnë përfundimisht shpresat e Meksikës për kualifikim.
Verdiktet e grupit C: Kualifikohen Argjentina dhe Polonia, eliminohen Meksika dhe Arabia Saudite.
Argjentina do të luajë kundër Australisë në turin tjetër, ndërsa Polonia do të ndeshet me Francën. /Oversport.tv