Armando Broja lë pas dëmtimin, i gatshëm për sfidën kundër Aston Villas

Trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhüttl ka deklaruar se ka në dispozicion të gjithë lojtarët e tij (me përjashtim të të dëmtuarit afatgjatë Jack Stephens) për ndeshjen e nesërme në kampionat, ku skuadra e tij do të presë në stadiumin “St Mary’s” Aston Villën.

Armando Broja është bashkuar me skuadrën dhe ka kryer stërvitje të plotë, duke lënë pas dëmtimin në kyçin e këmbës, ndërsa kapiteni James Ward-Proëse e ka shlyer pezullimin, pasi nuk luajti ndeshjen e kaluar kundër Watfordit. Të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion të trajnerit.

Përsa i përket situatës së Brojës, Ralph Hasenhüttl ka thënë: “Ai është kthyer dhe është i gatshëm për ndeshjen e radhës. Të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm. Kam mundësinë që të zgjedh, pasi kam në dispozicion të gjithë organikën për këtë takim”.

Broja shkëlqeu në dy ndeshjet që nisi si titullar, duke shënuar dy gola me skuadrën e Southamptonit (përballë Leeds dhe Burnley), por për shkak të një dëmtimi nuk luajti ndeshjen e kaluar kundër Watfordit. Sulmuesi shqiptar shpreson që të vazhdojë aty ku e la, duke synuar një tjetër paraqitje të mirë me fanellën e “shenjtorëve” / Oversport.tv