Arsenali rikthehet tek fitorja, kriza e Newcastle nuk njeh fund

Arsenali ka mposhtur 2-0 Newcastle në ndeshjen hapëse të javës së 13-të të Premier Ligës angleze. “Topçinjtë” reagojnë pas humbjes së thellë përballë Liverpoolit, duke mposhtur pastër skuadrën që zë vendin e fundit në tabelën e klasifikimit të kampionatit anglez. Saka dhe Martinelli kanë vulosur fitoren e londinezëve me golat e shënuar në pjesën e dytë.

Arsenali ka dominuar sfidën që në fillim. Emile Smith Rowe dhe Pierre-Emerick Aubameyang nuk arrijnë që të mposhtin portierin Martin Dubravka dhe fraksioni i parë mbyllet në barazim të bardhë 0-0.

Me fillimin e pjesës së dytë, londinezët kalojnë në avantazh të dyfishtë brenda pak minutash. Në fillim Saka dhe më pas Martinelli shënojnë golat e fitores për Arsenalin.

Newcastle është përpjekur të reagojë, por pa arritur që të konkretizojë në portën kundërshtare. Një humbje që djeg për “qymyrxhinjtë”, skuadra e vetme që nuk kanë fituar këtë sezon në kampionat, pasi tashmë mbijetesa po bëhet gjithmonë e më e vështirë.

Arsenali rigjen fitoren dhe falë këtij suksesi ngjitet në zonën që të çon në Kupat e Europës. / Oversport.tv

Angli-Premier League / Java e 13-të

Arsenal-Newcastle 2-0

Saka 56’, Martinelli 66’