Arthur për Oversport: I lumtur që rikthehem të luaj, Roma një skuadër e madhe

Në një intervistë të dhënë për Oversport, braziliani Arthur ka folur për ndeshjen e nesërme që Juventusi i tij do të luajë kundër Romës. Mesfushori nuk ka debutuar akoma këtë sezon në Serie A, por tashmë ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe është në dispozicion të teknikut Allegri për sfidën kundër verdhekuqve. Arthur shpreson që të luajë kundër Romës, skuadër kundër së cilës ka debutuar një vit më parë dhe që e vlerëson shumë.

Një sezon më parë ke debutuar kundër Romës, ndërsa tani je gati për të zbritur në fushë, sërish përballë verdhekuqve. Duket se kjo është ndeshja jote?

-Jam shumë i lumtur, që jam i gatshëm për të luajtur. Është e qartë se është një ndeshje e veçantë ajo kundër Romës, një skuadër shumë e forte, me shumë lojtarë të mirë. Por mendoj se më e rëndësishme është që të luaj, sigurisht akoma më mirë kur kthehem përballë një kundërshtari të fortë. Por më e rëndësishmja është që jam i gatshëm për të luajtur.

Roma e ka nisur mirë kampionatin, falë entuziazmit të sjellë nga Murinho. Çfarë ndeshje pret kundër verdhekuqve?

-Mendoj se është një ekip shumë agresiv, sidomos në zonën difensive, për shkak të karakteristikave të lojtarëve dhe trajnerit të saj. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Trajneri i ri sjell shumë entuziazëm dhe ai po bën një punë shumë të mirë atje.

Pas një fillimi të vështirë, Juventusi është rikthyer në rrugën e duhur duke arritur 3 fitore radhazi. A është kjo sfidë, një test që shërben për të kuptuar nëse skuadra ka gjetur qetësinë?

-Mendoj se është një ndeshje e mirë për të treguar forcën e Juventusit. Është e qartë, që është një ndeshje e komplikuar, por kemi gjithë javën që përgatitemi për këtë takim dhe shpresoj që të zhvillojmë nje ndeshje të madhe dhe të fitojmë këtë sfidë. /Overport.tv