Arthur: Inter-Juventus një sfidë emocionuese dhe plot rivalitet, duam fitoren

“Ka ndeshje që dhurojnë më shumë emocione krahasuar me ndeshjen e tjera. Inter-Juventus është një nga këto sfida”. Arthur, mesfushori i Juventusit, ka folur për ndeshjen e madhe të së dielës në kampionat për kanalin në Youtube të Ligës Serie A.

“Për një futbollist është gjithmonë kënaqësi që të luajë ndeshje të mëdha. Çdo ndeshje është e rëndësishme, por disa janë më emocionuese dhe e kuptojmë falë mbështetjes së tifozëve. E dimë që është një rivalitet i madh dhe historik mes Interit dhe Juventusit, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ku adrenalina do të jetë 100%”.

“Po përgatitemi shumë dhe po e studiojmë Interin shumë mirë, që të mësojmë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Duam të dimë çdo detaj, që të paraqitemi në sfidë të përgatitur dhe të hyjmë në fushë për të fituar ndeshjen. Nuk duhet ti lëmë mesfushorët e tyre që të kontrollojnë lojën. Do të duhet përqendrim maksimal për gjatë gjithë 90 minutave”, ka thënë mesfushori brazilian. /Oversport.tv