Asistoi Clement Turpin për të pezulluar ndeshjen me Poloninë, na arbitron në Angli

Arbitri i katërt në ndeshjen Shqipëri-Poloni, do të jetë bilbili i ndeshjes mes “Tre Luanëve” dhe kuqezinjve në “Wembley”.

Ruddy Buquet është caktuar nga UEFA që të vendosë drejtësi në sfidën e parafundit kualifikuese për Shqipërinë. Bie në sy se 44-vjeçari është i vetmi francez në trupën e caktuar për këtë ndeshje, teksa asistentët e tij si dhe zyrtarët e tjerë të takimit do të jenë gjermanë.

Ka shumë mundësi që gjyqtari gjerman, që ishte caktuar fillimisht për të gjykuar këtë sfidë, të jetë pozitiv me Covid, prandaj është ndryshuar nga drejtuesit e Uefa-s, gjithsesi qeveria europiane e futbollit nuk ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Marco Achmüller dhe Jan Seidel do të jenë dy gjyqtarët anësorë në këtë takim ndërsa në sistemin VAR është caktuar Bastian Dankert.

Buquet ishte arbitri i katërt në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë në “Air Aalbania” si dhe personi që asistoi Clement Turpin në ndërmarrjen e vendimit për ta pezulluar ndeshjen për disa minuta, pas sendeve të hedhura nga tifozët në fushë. Ruddy Buqet ka qenë arbitri i parë i cili ka testuar përdorimin e sistemit Var në Ligën e Parë në Francë në gusht të vitit 2018./Oversport.tv