Askush si ai, Ronaldo s’njeh limite: 111 gola me ekipin kombëtar

Nuk kanë fund rekordet e Cristiano Ronaldo: kundër Irlandës në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2022, portugezi shënoi dopietë duke arritur 111 gola me fanellën e luzitanëve dhe tashmë gjendet i vetëm në krye të listës së golashënuesve të ekipeve kombëtare.

Kaq ka zgjatur rekordi i iranianit Ali Daei, që është ndalur në kuotën e 109 golave me skuadrën e vet përfaqsuese.

Ka qënë një ndeshje me dy pamje ajo e djeshmja për Ronaldon, mes tensionit për penalltinë e humbur dhe irritimit të tifozëve për një ndeshje që dukej sikur nuk mund të fitohej. Dhe më pas përmbysja e madhe, me kapitenin që shënon 2 gola.

I jep fitoren dhe vendin e parë në grup skuadrës portugeze, ndërsa vetë ngjitet në Olimp, si askush tjetër më parë, me plot 111 gola të shënuar me fanellën e ekipit kombëtar. Një rekord, i cili mund të thyhet sërish, duke parë formën që po kalon Ronaldo.