Asnjë dyshim për Scalonin, Presidenti i Federatës e konfirmon në krye të stolit argjentinas

Triumfin në Kupën e Botës të zhvilluar në Katar është padyshim trofeu më i madh që Lionel Scaloni ka arritur në karrierën e tij. Trajneri i Argjentinës ka fituar gjithashtu edhe Copa America, por kurorëzimi në Katar e ngjiti atë në majën e të gjithë botës. Për këtë arsye, me suksesin e arritur, tek Argjentina nuk kanë asnjë dyshim për të ardhmen e trajnerit 44-vjeçar.

Kontrata e tij me amerikano-latinët do të rinovohet dhe këtë gjë e konfirmon vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia. Ky i fundit ka folur për mediat vendase ku është treguar mjaft i qartë për të ardhmen e teknikut argjentinas.

“Nuk ka asnjë dyshim për Scalonin, do të vazhdojë të jetë trajneri i Kombëtares së Argjentinës. Jemi të dy burra që e mbajmë fjalën dhe i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit. Për momentin është jashtë vendit për shkak të një problemi me pasaportën e një prej fëmijëve, por kur të kthehet në Argjentinë do të flasim, siç kemi bërë deri më tani”, përfundoi Tapia. /oversport.tv

Foto: Selección Argentina, Twitter