Aston Martin ka zyrtarizuar konfirmimin e Sebastian Vettel dhe Lance Stroll edhe për sezonin e ardhshëm. Skuadra britanike, që zuri vendin e Racing Point këtë vit, nuk do t’i ndryshojë pilotët në sezonin 2022.
Deri tani Aston Martin ka grumbulluar 59 pikë në botërorin e konstruktorëve (34 të fituara nga Vettel dhe 24 nga Stroll). Rezultati më i mirë sezonal ka qënë vendi i dytë i pilotit gjerman në pistën e Bakut, në Çmimin e Madh të Azerbaixhanit.
“Mezi presim që të garojmë me makinat e reja. Do të kenë ndryshime të rëndësishme, do të jetë një fillim i ri për çdo skuadër dhe për ne do të jetë një mundësi e madhe. Besoj në forcën e skuadrës sonë”-ka deklaruar Sebastian Vettel.
Ndërsa shoku i tij i skuadrës ka thënë: “Sezoni i ardhshëm do të jetë viti im i 6-të në Formula 1. Mezi pres që të vazhdoj këtë aventurë së bashku me Vettel edhe vitin e ardhshëm. Nuk kemi arritur objektivat sezonalë, por kjo do të shërbejë si shtytje për paraqitjet tona në vitin 2022”-ka thënë Lance Stroll./Oversport.tv