Atalanta dhuron spektakël për ditëlindje, Udinese merr një pikë me dhjetë lojtarë

Janë luajtur ndeshjet e drekës këtë të dielë në Serie A të cilat janë transmetuar drejtpërdrejtë në Oversport. Atalanta ka arritur një fitore në ditlindjen e saj me rezultatin 4-1. Ndërkohë, dy ndeshjet e tjera Genoa-Sassuolo dhe Udinese-Bologna kanë dalë barazim, respektivisht me rezultatet 2-2 dhe 1-1

Atalanta e nisi mirë takimin duke kaluar në avantazh të dyfishtë falë golave të Josip Ilicic. Slloveni realizoi që në fillim të takimit një gol pas një pase të Pasalic që e vendosi atë përballë portës së boshatisur. Ndërkohë, për të dyfishuar rezultatin, Ilicic shënoi një gol fantastik në trekëndëshin e portierit Vicario duke e lënë këtë të fundit të palëvizur. Megjithatë, pak minuta më vonë, Di Francesco përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes zikaltër. Italiani u gjeti veten përballë portierit ku realizoi golin që ngushtoi rezultatin në 2-1.

Megjithatë, në pjesën e dytë Atalanta e filloi takimin njësoj si në start duke thelluar përsëri rezultatin në 3-1, falë një autogoli të mbrojtësit Viti. Golin që mbyllii përfundimisht takimin e shënoi Duvan Zapata vetëm pak minuta përpara përfundimit të takimit për ta vulosur rezultatin final në 4-1.

Sassuolo e nisi takimin në mënyrë fantastike edhe falë një forme të mirë të sulmuesit Gianluca Scamacca. Shtatlarti italian shënoi një dygolësh që në pjesën e parë të takimit duke I dhënë Sassuolos avantazhin e dyfishtë. Për të ngushtuar diferencat, mendoi Matia Destro që shfrytëzoi shumë mirë një harkim të Fares për të ralizuar me kokë golin duke e çuar rezultatin në 2-1.

Sakaq ndeshja vazhdoi të ishte e luftuar edhe në pjesën e dytë por me të dyja ekipet që nuk po arrinin dot të ndryshonin rezultatin. Ndryshimi erdhi vetëm në minutën e fundit kur mbrojtësi Vasquez u ngrit më shumë se të tjerët në zonë duke shënuar një gol me kokë që i dha të dyja ekipeve nga një pikë.

Në ndeshjen tjetër Bologna nuk përfitoi dot nga fakti se Udinese ishte me dhjetë lojtarë. Edhe pse e pa veten në avantazh falë golit të Musa Barrow ata nuk arritën dot ta ruanin rezultatin. Për Udinesen u kundërpërgjigj Beto që e çoi rezultatin në 1-1 duke marrë kështu një barazim shumë të vuajtur. /oversport.tv

 

SERIE A-JAVA E 8-TË
EMPOLI-ATALANTA
Shënues: Di Francesco 30’/ Ilicic 11’,26’ Viti 49’ (autogol), Zapata 89’

 GENOA-SASSUOLO
Shënues:
Destro 27’ Vasquez 90’/ Scamacca 18’, 21’

 UDINESE-BOLOGNA
Shënues:
Beto 83’/Barrow 67’