Atalanta nuk ka shkëlqimin e mëparshëm, por për momentin pikët janë ato që vlejnë. Djemtë e drejtuar nga Gian Piero Gasperini ia kanë dalë të fitojnë kundër Salernitana me rezultatin 1-0 në transfertë.
Gosens ishte ai që tentoi të vinte në vështirësi vendasit në minutat e para. Salernitana më pas u kundërpërgjigj me Mamadou Coulibaly,i cili u ndal nga trau i portës.
Në 45 minutat e para nuk pati gol, ndërkohë që tek Atalanta u dëmtua Demiral dhe në vend të tij u aktivizua Berat Gjimshiti në fillim të pjesës së dytë.
Gondo i Salernitana dhe më pas Bonazzoli, ky i fundit me një rast të mirë, rrezikuan portën e skuadrës nga Bergamo. Që ndeshja të zhbllokohej u desh minuta e 75-të, kur Zapata goditi saktë pas një pasimi të Ilicic brenda zonës.
Dhjetë minuta më pas Atalanta kishte mundësinë të shënonte edhe golin e dytë, me Davide Zappacosta. Gjithsesi kjo ndeshje nuk pati më gol dhe ekipi i Gasperinit shkoi në kuotën e 7 pikëve, pas kësaj fitoreje. / oversport.tv