Atalanta është ekipi i radhës që kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Italisë pasi mposht në shtëpi Spezian me rezultatin 5-2. Bergamaskët triumfuan në një sfidë spektakolare dhe tashmë në fazën tjetër e pret Interi i Inzaghit që më parë ka mposhtur Parmën në “Giuseppe Meazza”.
Ndeshja ka menjëherë ritëm me Atalantën që gjen golin e avantazhit pas 10 minutash lojë. Lookman çon topin në rrjetë dhe zhbllokon takimin. Dy minuta më vonë është sërish Nigeriani që gjen rrugën e rrjetës duke dyfishuar gjithçka.
Duket se do të jetë një triumf i lehtë i Atalantës, por një tjetër gol realizohet pas dy minutash, këtë herë nga Spezia. Është Albin Ekdal që ngushton diferencat duke i çuar shifrat në 2-1.
Ekipet nuk e ulin në asnjë moment ritmin dhe Atalanta gjen sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me Hans Hateboer. Pjesa e parë ndërkohë mbyllet me rezultatin 3-2, pasi Verde ngushton diferencat në minutën e 38-të.
Atalanta kërkon të menaxhojë rezultatin dhe në pjesën e dytë provojnë të ulin ritmin dhe të përfitojnë nga gabimet e Spezias. Pokeri plotësohet në minutën e 72 nga Hojlund që realizon golin e katërt të takimit. Minutat shtesë rezervojnë edhe një tjetër gol për Atalantën, por këtë herë i vjen në ndihmë mbrojtësi i Spezias Ampadu që devijon topin në portën e vetë.
Ky është edhe goli që vulos rezultatin final dhe kualifikon Atalantën për në fazën tjetër. Kundërshtari i radhës do të jetë Interi ku pritet një supersfidë. /oversport.tv
Foto: Atalanta B.C. Twitter