Atmosferë fantastike në grumbullim, lojtarët optimistë përballë sfidave kyçe

Dita e dytë e grumbullimit të Kombëtares. Atmosfera është fantastike.

Lojtarët, miqësorë mes tyre kanë momente për të ndarë nga kampionatet ku vijnë. Përpara janë dy finalet e sezonit që ndajnë udhëkryqin për kuqezinjtë, ama në fytyrat e lojtarëve nuk vihet re aspak tension.

Edi Reja shpesh del jashtë hotelit për të vëzhguar si shkojnë gjërat. Është orari për drekë dhe trajneri gjen kohë të interesohet edhe për daljet mediatike.

“Kush do flasë para mediave sot? – pyet italiani. “Bajrami dhe Lenjani”, përgjigjen gazetarët. “Po ku janë, pse nuk kanë ardhur?”- vijon interesimi i trajnerit.

Rrezet e diellit më Durrës bëjnë që shumë prej lojtarëve të ulen në tavolinat më me diell. Të gjithë të relaksuar, edhe pse paraditë kanë zhvilluar stërvitjen e dytë në prag të përballjes me Hungarinë.