ATP Finals: Koha e gjysmëfinaleve, Medvedev dhe Djokovic favoritë për finalen

ATP Finals ka hyrë në fazën e saj më interesante, pasi janë përcaktuar katër tenistët që do të vazhdojnë rrugën drejt trofeut të lakmuar. Sot do të luhen dy takimet gjysmëfinale të turneut dhe fituesit e secilës sfidë do të kualifikohen në finalen e madhe që do të luhet nesër.

Në orën 14:00 do të luhet sfida Medvedev-Ruud. Numri 2 në renditjen botërore ka fituar të gjitha takimet që ka zhvilluar në këtë turne (3 ndeshje) dhe shihet si favorit për të shkuar në finalen e madhe.

Debutuesi Ruud u kualifikua mes katër më të mirëve pasi mposhti rusin Rublev dhe sot synon të bëjë një tjetër surprizë përballë Medvedevit. Daniil Medvedev ka fituar 2 përballjet direkte me Casper Ruud.

Në orën 21:00 do të luhet gjysmëfinalja tjetër, sfida mes Djokovic dhe Zverev, dy nga tenistët më të mirë dhe në formë në këto momente. Numri një në renditjen botërore ka koleksionuar vetëm fitore në Torino dhe sot kërkon suksesin e radhës, që të shkojë në finalen e madhe.

Gjermani Alexander Zverev (numri 3 në renditjen botërore) nuk ka shkëlqyer në këtë turne, por gjithsesi mbetet një kockë e fortë për çdo kundërshtar. Djokovic kryeson 7-3 përballjet direkte mes dy tenistëve. / Oversport.tv