Ausilio: Barella rinovon, mbeten detajet! Asnjë lojtar nuk ikën në janar

Piero Ausilio, drejtori sportiv i Interit, në prag të ndeshjes së zikaltërve në Champions League kundër Sheriff Tiraspol, ka folur në lidhje me rinovimet në skuadër dhe për zërat e merkatos në dalje.

“Për rinovimin e Barella kanë mbetur disa detaje, po flasim për aspekte formale dhe kaq. Kemi besim, shpresoj të kemi lajme para derbit. Sa i takon Brozovic, mund të them vetëm se ne me të vërtetë duam të rinovojmë me të.

Së shpejti do takohemi me agjentët dhe do përpiqemi të gjejmë zgjidhjen. Ai është një lojtar i rëndësishëm që e duam për të ardhmen. Duhet të shohim se çfarë mendon edhe pala tjetër”.

Ditët e fundit ka pasur shumë zëra për lojtarë që mund të kalojnë nga Interi tek anglezët e Tottenham prej Antonio Contes. Në janar të paktën nuk do të ndodhë diçka e tillë, sikurse është shprehur Ausilio.

“Nuk kam folur me Conten, por jam i lumtur për të. I uroj më të mirat në këtë aventurë. E di sa i kënaqur është që mund të punojë në Premier League dhe e di pasionin dhe aftësitë e tij.

Sa i takon largimeve, asnjë shitje nuk do të merret në konsideratë në janar. Do t’i japim vazhdimësi punës së nisur në qershor”, ka përfunduar drejtori sportiv i Interit. / oversport.tv