Australia bën mrekullinë dhe kualifikohet, Franca mbyll grupin në vend të parë

Kanë përfunduar ndeshjet e grupit D, të cilat kanë përcaktuar emrat e dy skuadrave që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre në Katar 2022. Franca (që kishte siguruar kualifikimin)mposhtet nga Tunizia, ndërsa në ndeshjen tjetër të grupit ka qenë Australia që ka dhuruar surprizën dhe falë fitores 1-0 përballë Danimarkës, kualifikohet mes 16 më të mirave të Botërorit.

Franca e kualifikuar në fazën e 1/8-ve të finales, lë pushim yjet, bën shumë rrotacion dhe hedh në fushë lojtarët që nuk ishin aktivizuar shumë në dy ndeshjet e para të grupit. Tunizia përfiton dhe fiton 1-0 falë golit të Khazrit në pjesën e dytë. Griezmann barazon shifrat në kohën shtesë, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. Pavarësisht fitores afrikanët nuk arrijnë të kualifikohen, pasi në ndeshjen tjetër të grupit Australia ka bërë mrekullinë përballë Danimarkës duke fituar 1-0.

Një gol i Leckie në pjesën e dytë i ka dhënë një fitore të artë Australisë, që pas këtij suksesi ngjitet në vendin e dytë në grup dhe kualifikohet mes 16 më të mirave të Botërorit. Zhgënjen Danimarka, që mbyll Botërorin me një pikë.

Verdiktet e grupit D: Franca ruan vendin e parë në grup dhe kualifikohet së bashku me Australinë në fazën tjetër të turneut. Eliminohen Tunizia dhe Danimarka. / Oversport.tv