Azizi i Torinos: Motivohem nga Gattuso, dua të ndjek gjurmët e Canës

Bilario Azizi, mesfushori i cili është pjesë e moshave të Torinos, është rrëfyer në një intervistë për “FSHF.org” dhe fillimisht tregon si nisi gjithçka për të. “Që i vogël kam pasur dëshirë të loz me top, babi edhe vëllai më kanë përkrahur gjithmonë. Familja ime më rri shumë pranë, veçanërisht babi edhe vëllai që më ndjekin në çdo ndeshje dhe stërvitje”.

Azizi luan si mesfushori qendror dhe është pjesë e 18-vjeçarëve të Torinos. Ai ka debutuar edhe me Shqipërinë U18 dhe për këtë shprehet: “Jam krenar që vesha fanellën kuq e zi kundër Italisë. Më është plotësuar kështu dëshira që kisha për të lozur me kombëtaren.

Ishim një grup i fortë kundër Italisë dhe ndeshja shkoi shumë mirë, ndaj një prej ekipeve më të forta në botë. Jam krenar që kam arritur deri këtu dhe shpresoj të arrije akoma më lart”.

Mesfushori ka dy mesfushorë prej të cilëve merr shembull: “Lorik Cana është lojtari shqiptar që më motivon më shumë. Më pëlqente shumë energjia dhe vendosmëria që kishte në fushën e lojës. I huaji që më motivon është Gennaro Gattuso”.

Shqiptarët në Itali janë të shumtë dhe këtë Bilario e komenton kështu: “Jam krenar kur shikoj kaq shumë futbollistë shqiptarë në Serie A. Edhe unë shpresoj të arrij një ditë ku kanë arritur bashkëkombësit e mi tani. Jam i ri dhe duhet të vazhdoj të punoj të arrij aty ku dua”.

“Objektivi im është të arrijë sa më lart në futboll dhe do punoj për këtë. Do të doja të ndiqja gjurmët e Lorik Canës. Karriera e tij më ka pëlqyer shumë, pasi ka luajtur në kampionate të ndryshme”, është shprehur Bilario Azizi. / oversport.tv