Babai i Donnarumma: Vërshëllimat e bëjnë edhe më të fortë djalin tim!

Të mërkurën në mbrëmje, kthimi i Donnarumma në San Siro, nuk u prit mirë nga tifozët e Milanit. Vërshëllimat kundrejt tij vazhduan gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk pushuan për asnjë moment.

Për këtë temë ka folur babai i Gigios, Alfonso. Ai pranoi se priste një mikpritje nga tifozët, por gjithashtu këmbënguli se kjo gjë nuk ndikoi te paraqitja e djalit të tij.

“Gigio është më i fortë se vërshëllimat. Unë isha në stadium dhe natyrisht e prisja, por nga ana tjetër shpresoja edhe se nuk do të ndodhte. Sidoqoftë, ai po luante për vendin e tij dhe jo për klubin. Besoj se kjo që ndodhi do e bëj atë më të fortë, duke e motivuar më tepër”, deklaroi babai i Donnarumma për La Repubblica.

Ditën e diel, kombëtarja italiane do të përballet me Belgjikën në një ndeshje për vendin e tretë në Nations League Alfonso shtoi se do të jetë në stadium dhe shpreson që djali i tij të mos marrë të njëjtin trajtim.

“Shpresoj që nuk do të ketë më të tilla mosmarrëveshje. Gigio ndihet mirë në Paris dhe është i lumtur, njësoj si ne. Ai është i qetë, shikon rrugën e tij dhe nuk e lejon veten të kushtëzohet nga gjëra jashtë fushës”, përfundoi ai.

Në një intervistë për Il Corriere dello Sport, edhe agjenti Mino Raiola nuk ishte i impresionuar nga vërshëllimat për lojtarin e tij. Ai madje fajësoi ish-klubin e Donnarumma që nuk e mbrojti atë pas shumë ofendimesh nga tifozët. / oversport.tv