E diela e Serie A do të nisë me takimin Empoli-Sampdoria që do të luhet në stadiumin “Castellani” në orën 12.30 dhe do të transmetohet Live në kanalin Oversport 1.
Empoli ka mposhtur Juventusin në Torino në javën e dytë të kampionatit, por në dy takimet që ka luajtur në shtëpi këtë sezon është mposhtur nga Lazio dhe Venezia. Vendasit do të kërkojnë pikët e para në “Castellani” në sfidën e sotme kundër Sampdorias.
Tekniku Andreazzoli mund të bëjë disa ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e fundit në kampionat. Tonelli është dëmtuar dhe vendin e tij në mbrojtje do ta marrë Ismajli, ndërsa Bajrami është tashmë një titullar fiks në formacionin e Empolit. Fiamozzi është gjithashtu i dëmtuar, ndërsa Pinamonti është i gatshëm për këtë sfidë dhe mund ta nisë që nga minuta e parë.
Në krahun tjetër qëndron Sampdoria që ndali kampionët e Italisë në ndeshjen e kaluar të kampionatit. Miqtë nuk e kanë provuar akoma shijen e fitores në kampionat dhe do të provojnë të marrin maksimumin e pikëve në transfertën e sotme. Tekniku Roberto D’Aversa nuk ka probleme me mungesat, madje i gatshëm për këtë sfidë është edhe Ekdal.
Formacionet e mundshme:
Empoli (4-3-1-2): Vicario; Stojanovic, Ismajli, Luperto, Marchizza; Haas, S. Ricci, Bandinelli; Bajrami; Pinamonti, L. Mancuso.
Sampdoria (4-4-2): Audero; Bereszynski, Yoshida, O. Colley, Augello; Candreva, Thorsby, Silva, Damsgaard; Caputo, Quagliarella