Bajrami “show”, shqiptari shkëlqen në përmbysjen e Empolit ndaj Udineses

Empoli ka mposhtur me përmbysje Udinesen në javën e 16-të të Serie A. Ishte Nedim Bajrami ai që i dha dorën më të madhe Empolit në këtë fitore pasi shënoi një gol personalisht, si dhe ishte njeriu asist në golin e tretë.

I pari në avantazh kaloi ekipi i Udineses në pjesën e parë më anë të Gerard Deulofeu. Sulmuesi spanjoll kombinoi mjaft mirë me Success dhe i vetëm përballë portierit e çoi topin në 1-0.

Megjithatë, pjesa e dytë foli vetëm për Empolin që u hodh në fushën e lojës me një tjetër fytyrë. Ishte Stojanovic që baraspeshoi gjithçka në fillimin e pjesës së dytë pas një goli mjaft të bukur në kufijtë e zonës.

Më pas erdhi edhe “Bajrami show”. Shqiptari u gjend në mesin e zonës me portën bosh duke përmbysur gjithçka në 2-1. Ndërkohë, pak minuta më vonë, ishte përsëri Bajrami që hodhi bazat e golit të tretë. Ai pa të lirë në zonë Pinamontin që shfrytëzoi mjaft mirë pasimin e shqiptarit duke e çuar topin në rrjetë.

Kështu, Empoli del nga ky takim me tre pikët dhe qëndron në vendin e 11 me 23 pikë, po aq sa Verona e vendit të dhjetë. Udinese ndërkohë ka 16 pikë dhe qëndron në vendin e 14-të.

SERIE A – JAVA E 16-TË
EMPOLI-UDINESE 3-1
Shënues:
Stojanovic 50’, Bajrami 59’, Pinamonti 78’/ Deulofeu 22’