Bakaj: Vjen momenti të thuash mjaft, do jem në botën e futbollit! Kam një ofertë nga Bjellorusia

Elis Bakaj, një nga lojtarët që ka spikatur në kampionatin shqiptar me fanellat e shumë klubeve të Superiores (ka luajtur me të tre skuadra e kryeqytetit), ka treguar në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport vendimin e tij për tu tërhequr nga futbolli i luajtur, si dhe ka treguar planet për të ardhmen që pa diskutim do të jenë në botën e futbollit.

“Sa të mungon kampionati shqiptar? Më mungon Superiorja, sepse aty u formova si lojtar, por vjen një moment që duhet të thuash mjaft. Kam thuajse një vit, që jam shkëputur nga futbolli i luajtur, por e kisha të vështirë ta bëja publike. E pashë që nuk mund të isha në nivelet e mëparshme. Pësova një dëmtim, u riktheva, por nuk isha në formën optimale dhe mendova që ta mbyll.

E ardhmja? Jeta pa futboll nuk ka kuptim. Po vazhdoj të gjitha kurset pranë FSHF-së. Një sportist kur shkëputet është si një fëmijë që vjen në jetë për herë të parë. Pasi gjithë jetën jemi marrë në futboll. Jam në bisedime me një ekip në Bjellorusi për drejtor sportiv. Kam miq dhe shokë aty që më respektojnë. Të shohim.

Kë do zgjidhnit nga skuadra e kryqytetit? Njeriu duhet të provojë gjithçka në jetë. Një lojtar, një trajner është profesionist dhe jo tifoz. Kam qenë me fat që kam luajtur me të tre ekipet e kryeqytetit, por nuk mund të zgjedh një ekip, pasi një trajner duhet të jetë profesionist. Nuk mund të zgjedh një ekip, pasi nuk do të respektoja ekipet e tjera me të cilat kam luajtur.

Çfarë ka ngelur peng nga karriera e pasur? Një nga momentet më të bukura ka qenë debutimi me kombëtaren, që është ëndrra e çdo fëmije. E realizova në moshë shumë të re, në moshën 20-vjeçare. Kemi qenë me fat, sepse kemi bërë profesionin që kemi dashur në jetë.

Ledio Pano ka qenë një nga idhujt e mi, sepse doja të bëhesha si ai, sidomos në goditjet e dënimit. Çdo gjë e ka një fillim dhe një fund dhe kam dëshirë që të shërbej në futbollin shqiptar me eksperiencën time. Dua që lojtarët e Superiores ti transferojmë jashtë.

Goli më i bukur? Janë shumë. Goli është gjithmonë i bukur për një sulmues. Kanë qenë gola të rëndësishëm. Goli në kombëtare? Jo, sepse ishte një gol i thjeshtë. Kam shënuar gola të tjerë më të bukur. Çdo gol ka bukurinë e vet, sidomos kur vlen tre pikë.

Momenti më i bukur? Debutimi në kombëtare. Takimi me Maradonën? E kam pasur fatin ta takoj. Messin dhe Ronaldon gjithashtu, kam luajtur kundër tyre. Ka shumë momente të bukura. Me Maradonën kam biseduar dhe nuk do ta harroj kurrë këtë moment.

Trajneri më i mirë? Janë shumë, i falënderoj të gjithë. Do të tregohem hipokrit nëse do të jap vetëm një emër.

Klopp të kërkuar te Dortmund? Po por nuk pata fat. Do të luaja me ekipin e të rinjve, kishte interes në atë kohë. Jam stërvitur nga trajnerë shumë të mirë.

Vlera e transferimit te Dinamo e Bukureshtit? Është më shumë se ç’është thënë në Shqipëri dhe Rumani”, ka thënë Bakaj. / Oversport.tv