Balaj: Dua titullin kampion me Vllazninë, tani shpresoj një vend në Kombëtare

Bekim Balaj ka folur sot në konferencë për shtyp si lojtari më i ri i Vllaznisë. Sulmuesi Shkodran u shpreh mjaft i lumtur për rikthimin e tij në shtëpinë e tij pas 13 viteve. Megjithatë 32-vjeçari nuk do të udhëtojë me skuadrën e Josës për në Ballsh, për shkak se do të vazhdojë akoma stërvitjen individuale.

“Kjo më duket si hera e parë që kam veshur fanellën e Vllaznisë. Shumica nuk e besonin se unë do të firmosja me ish-klubin tim. Projekti që ka klubi është me të vërtetë serioz në të cilin bëj pjesë dhe unë.

Së bashku me Shkodrën jemi gati për t’u shpallur kampionë. Shpresoj që të shënoj sa më shumë, por më e rëndësishmja është titulli kampion. Dje kam bërë stërvitjen me ekipin dhe shumë shpejt do të jem gati.

Në Shkodër nuk kam ardhur për të mbyllur karrierën që tani. Mbase mund ta mbyll te Vllaznia pas disa vitesh, por tani është akoma herët. Shkodra më ka dhënë me të vërtetë shumë gjëra. Ndoshta kësaj radhe mund të më japë sërish një vend në Kombëtaren shqiptare.” – përfundoi Bekim Balaj. /oversport.tv