Balaj shkon për të firmosur kontratën, Oversport siguron foton

Disa dashuri nuk përfundojnë kurrë. E tillë është ajo mes Bekim Balajt dhe Vllaznisë. U largua si djalë dhe rikthehet si burrë. Pas 13 vitesh sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të riveshë fanellën kuqeblu për të bërë me krahë skuadrën dhe tifozët shkodranë që do të shohin sërish benjaminin e tyre.

Bekim Balaj ishte lojtar i lirë pasi shkëputi kontratën me Ankara Keçiorengucu në Turqi dhe prej ditësh po bisedonte me disa skuadra. Ai kishte dhënë fjalën për shkodranët se në Shqipëri do të mbante veshur fetëm fanellën kuqeblu.
Duket se në orët e fundit ka pasur një bisedë mes tij dhe drejtuesve të klubit për të arritur marrëveshjen. Në këtë mënyrë ai do të rikthehet të luajë në Loro Boriçi, diçka që e bënte për herë të fundit në sezonin 2009-2010 ku në 38 ndeshje shënoi 17 gola.

Balaj ka luajtur edhe me Tiranën në Superiore. Shkodranët sigurojnë një armë të fortë në garën për titullin, më shumë eksperiencë dhe cilësi për të luftuar deri në fund. Oversport ka arritur të sigurojë një foto, ku Bekim Balaj është i shoqëruar nga njëri prej pjesëtarëve të stafit drejtues të Vllaznisë për t’u futur në një Zyrë Shërbimesh Logjore për të firmosur me shkodranët.