Barcelona “blindon” yllin e ri, Pedri rinovon deri në vitin 2026

Pedri ka firmosur kontratën e re me skuadrën e Barcelonës deri në vitin 2026. Përmes rrjeteve të saj sociale, klubi katalanas ka zyrtarizuar këtë lajm. Barcelona siguron vazhdimësinë e bashkëpunimit me një nga lojtarët më premtues të LaLigas dhe futbollit europian.

Pedri është pjesë thelbësore e projektit të ri të Barcelonës dhe këtë e tregon edhe klauzola e largimit, pasi klubet që kërkojnë shërbimet e tij duhet të paguajnë nga 400 milion deri në 1 miliard euro për të prishur kontratën me skuadrën blaugrana.

Mesfushori, që së fundmi e sheh veten mes 30 kandidatëve për të fituar Topin e Artë, ishte sezonin e kaluar lojtari që ishte aktivizuar më shumë ndeshje me Barcelonën. Plot 52 takime të luajtura në të gjitha kompeticionet, duke lënë pas në këtë renditje Frenkie de Jong dhe Griezmann.

Pedri është kthyer në një lojtar të rëndësishëm të Barcelonës dhe falë paraqitjeve me fanellën blaugrana është grumbulluar edhe në skuadrën kombëtare spanjolle ku ka bërë paraqitje shumë të mira.

Mesfushori është i pari që ka rinovuar me klubin katalan, ndërsa drejtuesit synojnë që të njëjtën gjë të bëjnë edhe me talentet e tjerë Ansu Fati, Araujo dhe Gavi. Shifrat e sakta të rinovimit do të publikohen në orët në vijim. /Oversport.tv