Barcelona e shkarkoi, por Koeman i merr 10 milionë euro

Barcelona dhe Ronald Koeman kanë arritur marrëveshjen për prishjen e kontratës. Holandezi u shkarkua nga posti i trajnerit pas humbjes kundër Vallecanos. Lajmin e bëri të ditur “El Periodico” që raporton se klubi katalanas i detyrohet 10 milionë euro holandezit. Ky  i fundit ka dashur që të nxitojnë procedurat dhe për këtë arsye i ka falur 2 milionë euro Barcelonës.

Kujtojmë që ekipi spanjoll po kalon një moment shumë të vështirë në aspektin ekonomik, por pavarësisht kësaj e mori vendimin për ta shkarkuar trajnerin pas rezultateve të dobëta. Raporti ligjor mes palëve është shkëputur totalisht dhe Koeman tani është i lirë që të zgjedhë ndonjë skuadër tjetër.

Koeman erdhi në krye të klubit kur ishte president Bartomeu, por me Laportën gjërat nisën të lëkundeshin. Holandezi kurrë nuk ishte zgjedhja e parë e presidentit aktual. Humbja në Vallecas ishte vendimtare për shkarkimin e tij. Drejtimin e skuadrës e ka marrë Xavi. /oversport.tv