Barcelona ëndrra për të ardhmen, në shënjestër Haaland, Pogba dhe Olmo

Pavarësisht vështirësive ekonomike, Barcelona ka ëndrra të mëdha për të ardhmen. Pasi nuk arriti që të rinovonte kontratën me Leo Messin dhe transferimit të Antoine Griezmann, lëvizje që kanë ulur nivelin e pagave nga 100% në 80%, zëvendëspresidenti i anës ekonomike në klubin blaugrana, Eduard Romeu ka deklaruar se klubi po punon për t’u kthyer fuqishëm në merkato sezonin e ardhshëm.

“Nuk shoh të kemi probleme ekonomike, për të ndërmarrë këto veprime”-ka siguruar ai. Ëndrra e madhe, shkruan “Mundo Deportivo”, është norvegjezi Erling Haaland, që kërkohet nga gjysma e Europës, por duket se sulmuesi është obsesioni i vërtetë i presidentit të katalanasve, Joan Laporta.

Klauzola për prishjen e kontratës së sulmuesit të Borussia Dortmund është 90 milion euro. Një tjetër yll që pëlqehet është Pogba, të cilit i skadon kontrata me Manchester United në vitin 2022 dhe mund të largohet me parametër zero.

Operacione të vështira në dukje, por Laporta është besimplotë falë marrëdhënies shumë të mirë që ka me agjentin e tyre, Mino Raiola. Por, tratativa më e lehtë duket ajo e spanjollit Dani Olmo, të cilin Barcelona e tentoi edhe në verë.