Lojtari më i ri i Tottenham, Emerson Royal, është pyetur nëse ndjehet i lënduar nga fakti që u ble dhe u shit nga Barcelona në të njëjtën merkato. Mbrojtësi Brazilian u ble nga Barcelona në qershor për 9 milionë euro dhe u shit pastaj në gusht për 26 milionë Euro.
Emerson luajti në ndeshjet e para të kampionatit me Barcelonën dhe gjatë një interviste me mediat spanjolle ai pranon që u ndje i surprizuar nga shitja:
“Unë mendoja që klubi donte të qëndroja. Pas ndeshjes së kampionatit vura re që gjërat po lëviznin. Pasi mbërrita në stërvitje mora vesh që Barcelona kishte rënë dakord me Tottenhamin për shitjen time”.
Më pas ai shton: “Unë nuk dija asnjë gjë për këtë tratativë. Mbasdite klubi më telefonoi dhe më kërkoi një takim. Aty më njoftuan për shitjen në Angli dhe arsyeja është fakti që klubi gjendet në vështirësi financiare. Unë doja të qëndroja, por nuk kisha mundësi tjetër dhe vendosa të largohesha”.
I pyetur nëse ndjehet i përdorur nga klubi spanjoll mbrojtësi deklaroi: “I përdorur nuk mund ta them, sepse nuk do të ishte e drejtë. Por fjala e saktë do të ishte i lënduar, unë ndjehem i lënduar nga mënyra se si klubi spanjoll veproi me mua. Ata mund të kishin vepruar më mirë në këtë situatë”. / oversport.tv