Aventurës së Koeman si trajner i Barcelonës duket se po i vjen fundi. Rezultatet zhgënjyese këtë fillim sezoni i kanë vënë në lëvizje drejtuesit blaugrana për të kërkuar pasardhësin e holandezit. Diçka e tillë është përforcuar edhe më shumë pas dy humbjeve rresht në Champions League me Bayern Munich dhe Benfica, ku Barcelona nuk ka arritur dot të shënojë asnjë gol.
Sipas Mundo Deportivo favoriti kryesor për të zëvendësuar Koeman është Andrea Pirlo. Ish-trajneri i Juventusit konsiderohet nga presidenti Laporte si trajneri ideal për stolin e Barcelonës.
Njëkohësisht, sipas prestigjiozes spanjolle, Pirlo i kujton presidentit trajnerin Frank Rijkaard i cili arriti të fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 2006 me Barcelonën.
Megjithatë Andrea Pirlo nuk është kandidati i vetëm për stolin, pasi drejtuesit e Barcelonës po shqyrtojnë si mundësi edhe ish-kapitenin e tyre Xavi Hernandez. Xavi konsiderohet si trajneri që mund të rrisjellë Barcelonën në kohët kur ajo kishte në krye të stolit Pep Guardiolën.
Sakaq, edhe pse më pak të kuotuar, Roberto Martinez dhe Antonio Conte mbeten në garë për t’u bërë numri një i stolit Blaugrana. / oversport.tv