Barcelona triumfon ndaj Celta Vigos mes ankthit për shëndetin e Araujo

Barcelona bën detyrën dhe mposht në shtëpi Celta Vigon me rezultatin 3-1 në javën e 36-të të LaLiga. Të besuarit e Xavit e dominuan takimin dhe nuk e vunë asnjë moment në diskutim fitoren, ndërsa ndeshja u shoqërua edhe me momente ankthi. Ronald Araujo u rrëzua në fushën e lojës pas një përplasje kokë më kokë me Gavin dhe u nevojit ndërhyrja e mjekëve që e shoqëruan mbrojtësin nga Uruguai me ambulancë në spital.

Shkëndija e parë vjen nga miqtë me Iago Aspas që kërkon të shtangë “Camp Nou”, por Ter Stegen nuk mendon kështu dhe ndalon gjithçka. Barcelona nuk e nis mirë takimin, por gradualisht fillon të marrë veten dhe gjen golin e avantazhit pas gjysmë ore lojë.

Një aksion i bukur personal nga Ousmane Dembele nxjerr të pambuluar në zonë Depay që me një penallti në lëvizje çon topin në rrjetë duke prishur ekuilibrat e takimit.

Celta i shkon pranë barzimit menjëherë pas golit, por sërish Ter Stegen reagon mirë. Në fundin e pjesës së parë, katalanasit gjejnë edhe golin e dytë. Këtë herë është Pierre-Emerick Aubameyang që shënon dhe çon ekipet në dhomat e zhveshjes me epërsinë e dyfishtë të Barcelonës.

Edhe pjesa e dytë nis mirë për katalanasit që gjejnë golin e tretë sërish me Pierre-Emerick Aubameyang, pas një tjetër asisti të Dembele. Menjëherë ngushton Celta me Iago Aspas që shfrytëzon një pasim të gabuar nga Ter Stegen dhe i çon shifrat në 3-1.

Gjithçka bëhet më e lehtë për Barcelonën kur në minutën 58 Murillo ndëshkohet me karton të kuq. Megjithatë, pas kartonin vëmendja shkëputet nga ndeshja. Ronald Araujo përplaset me Gavin dhe pasi ngrihet rrëzohet sërish në tokë. Momente ankthi për të gjithë me mjekët që detyrohen ta largojnë lojtarin me ambulancë për në Spital.

Pas këtij episodi, ndeshja nuk ka shumë histori me Barcelonën që del nga ky takim me pikë të plota dhe ngjitet në kuotën e 72 pikëve në vendin e dytë. /oversport.tv

LALIGA – Java 36
Barcelona – Celta Vigo 0-0
Shënues:
Depay 30’, Aubameyang 41’

Foto: FC Barcelona, Twitter