Barella-Inter bashkë deri në 2026, rritje rroge dhe shirit kapiteni për lojtarin

Nicolò Barella dhe Interi janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për rinovimin e kontratës. Klubi zikaltër e sheh mesfushorin si një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën aktuale, por edhe si liderin e së ardhmes. Prandaj është i gatshëm që t’i ofrojë një rritje të konsiderueshme rroge si dhe shiritin e kapitenit, si shenjë vlerësimi dhe besimi.

Sipas asaj që shkruan “La Gazzetta dello Sport”, kontrata e re që do të lidhë mesfushorin e talentuar me Interin do të skadojë në qershor të vitit 2026. Barella do të marrë një rritje page, që nga viti 2023 dhe mund të fitojë deri në 7 milion euro në sezon, në vitin e fundit të kontratës. I gjithë ky operacion do ti kushtojë klubit zikaltër rreth 25 milion euro.

Fati i Nicolò Barellas është i lidhur ngushtë me skuadrën zikaltër, që e konsideron atë si një nga “xhevahirët” më të çmuar të organikës. Interi kërkon të blindojë mesfushorin, që me paraqitjet që ka bërë në Serie A, ka zgjuar interesin e shumë klubeve të mëdha të kontinentit.

Nuk ka një klauzolë për prishjen e kontratës, por të dyja palët kanë besim se dashuria për ngjyrat zikaltër do ta bëjë shumë të gjatë këtë martesë. / Oversport.tv