Beckham komenton PSG-Real si ish: Do ta shoh në shtëpi, që të festoj çdo gol

David Beckham po përgatitet për të parë një ndeshje të madhe futbolli. Në “Parc des Princes” do të përballen Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, dy skuadra me të cilat legjenda angleze ka luajtur gjatë karrierës së tij.

Ish-mesfushori ka thënë për mediat zyrtare të klubit parisien se do ta shohë në shtëpinë e tij këtë ndeshje të madhe:

“Jam i lumtur që nuk do të jem në stadium. Do të ishte emocionuese dhe spektakolare që të shihja nga afër këtë sfidë mes dy skuadrave me të cilat kam luajtur, por të them të vërtetën preferoj të qëndroj në shtëpi dhe ta shoh ndeshjen në TV. Kështu mund të festoj çdo gol, nuk ka rëndësi se kush shënon.

Reali dhe PSG-ja kryesojnë kampionatet respektive, kanë dy trajnerë të mëdhenj dhe lojtarë shumë të mirë. Do të luajnë Kylian Mbappé, Neymar dhe Messi, që është padiskutim një nga lojtarët më të mirë në historinë e këtij sporti.

A do të fitojë Championsin PSG? Duhet të jenë të duruar, sepse herët a vonë do të ndodhë. Por jam i bindur se tifozët nuk do të presin edhe për shumë kohë”, ka thënë Beckham. / Oversport.tv