Belchatow triumfon ndaj Tours në gjysmëfinalen e parë, ka “SMS” pro Ukrainës

Polakët e Belchatow kanë triumfuar me rezultatin 3-2 në përballjen e parë gjysmëfinale ndaj francezëve të TOURS, në CEV Cup që transmetohet në Oversport.

Ishin këta të fundit që triumfuan në setin e parë me rezultatin 24-26. Mirëpo, i menjëhershëm ishte reagimi i skuadrës vendase. Belchatow ia doli që të përmbysë gjithçka, duke fituar dy sete radhazi respektivisht me rezultatet 25-22 dhe 25-20.

Gjysmëfinalja e parë mes këtyre dy skuadrave prodhoi emocione të shumta, pasi ishte në setin e katërt skuadra franceze që barazoi takimin. Me rezultatin 22-25, Tours e barazoi krejt takimin në rezultatin 2-2, duke bërë të nevojshëm një set final për të përcaktuar fituesin.

Në setin final vendasit ishin dominues. Start i mirë dhe avantazh i vazhdueshëm prej tyre. Me Robert Täht protagonistin absolut, i cili në fund u shpall edhe lojtari MVP (Më i mirë i ndeshjes), Belchatow ia doli që të triumfoi në setin e pestë me rezultatin 15-13, dhe 3-2 të gjithë takimin.

Në fund, për skuadrën vendase, një foto nën sfondin e një banderole gjigande të ultrasve polakë ku shkruhej “larg duart nga Ukraina”, një mesazh sensibilizues në lidhje me situatën ku Rusia po sulmon në vazhdimësi kryeqytetin ukrainas.  Gjysmëfinalja e kthimit mes Tours dhe Belchatow do të luhet më dy mars. / oversport.tv