Belgjika tregohet cinike, ndaj Kanadasë mjafton një gol i Batshuayi

Belgjika e nis me fitore aventurën e saj në Botërorin e Katarit pasi mposht minimalisht Kanadanë me rezultatin 1-0. Goli i Mitchy Batshuayi mjafton për “Djajtë e Kuq” që të dalin me pikë të plota nga kjo përballje që rezultoi më e komplikuar nga sa pritej.

Ndeshja nis menjëherë me një shans të artë për Kanadanë që ka të gjitha mundësitë për të kaluar në avantazh. Gjyqtari akordon një 11-metërsh që merret përsipër nga Alphonso Davies, por goditja e tij pritet nga portieri Courtois. Gjithçka mbetet në baraspeshë dhe Belgjika përpiqet të reagojë pas minutave të para të dobëta.

Megjithatë, nuk ka shumë shanse të pastërta shënimi dhe pjesa e parë duket se do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Në fundin e takimit ndërkohë, është Batshuayi që mendon ndryshe dhe realizon golin që prish ekuilibrat e takimit.

Në pjesën e dytë, Belgjika kërkon të menaxhojë rezultatin dhe ja del mjaft mirë pasi Kanadaja nuk arrin dot të shënojë. Me këtë fitore, Belgjika ngjitet në krye të grupit F me 3 pikë, ndjekur nga Kroacia dhe Maroku me nga një pikë. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter