Bellai: Të zgjidhim situatat që krijojmë para portës, jam i kënaqur me skuadrën

Trajneri i Bylisit, Arian Bellai ka folur për Oversport pas barazimit shtëpiak përballë Kukësit.

“Nuk mund të them se jam i pakënaqur. Filluam mirë, e kishim lojën në zotërim dhe krijuam raste në pjesën e parë. Edhe në pjesën e dytë kishim raste për të shënuar.

Duhet ti gëzohemi pikës së marrë dhe faktit që nuk humbëm, pasi luanim përballë një rivali në luftën për mbijetesë. Nëse luajmë si sot në çdo ndeshje, besoj që do të rikthehemi te fitorja në fushën tonë, sepse duket sikur kemi harruar të fitojmë këtu.

Duhet të gjejmë qetësinë dhe të zgjidhim situatat para portës. E kemi pasur këtë defekt dhe vazhdojmë ta kemi. Besoj se është diçka psikologjike dhe shpresoj që ta zgjidhim në ndeshjet e tjera këtë problem”, ka thënë Bellai. / Oversport.tv