Bennacer: Golat e pësuar mësim për ne, sa keq që s’di të shënoj shpesh

Ismael Bennacer ishte një ndër protagonistët në fitoren e kuqezinjve përballë Bologna me rezultatin 4-1.

Algjeriani shënoi golin e tretë dhe për të është ndjesi e veçantë sepse janë të paktat raste kur e gjen veten në tabelën e shënuesve. “Gjuaj dhjetë herë, por shënoj vetëm njëherë (qesh). Jam i lumtur për golin”.

Sipas Bennacer, një lojtar i pozicionit të tij duhet të koordinohet mirë për të shënjestruar portën kundërshtare: “Ke nevojë të koordinohesh siç duhet dhe menjëherë duhet të godasësh sapo të jepet mundësia. Nuk mund ta shpjegoj më qartë, por është një gjë që ti thjesht duhet ta bësh”.

Milan vuajti një pjesë të lojës përballë Bolognës edhe pse kjo e fundit luajti me 2 lojtarë më pak. “Na duhej pak kohë të merrnim veten pas barazimit, por kartoni i dytë i kuq nga Soriano na dha liri veprimi.

Janë ekip i mirë dhe ishte mirë për ne që të mbeteshin me 9 lojtarë. E rëndësishme është fitorja, 2 golat e pësuar janë mësim për në vazhdim”, deklaroi pas ndeshjes Bennaccer.

E bën karakteri diferencën? “Padyshim, jemi të gjithë bashkë. Nuk duam kurrë të humbasim, ne përpiqemi t’i fitojmë ndeshjet”. / oversport.tv