Benzema: “Topi i Artë” është ëndrra e çdo futbollisti, do bëj maksimumin ta fitoj

“Topi i Artë? Që fëmijë kam ëndërruar ta fitoj, është ëndrra të gjithë futbollistëve. Do të bëjë çfarë është e mundur dhe do të punoj në maksimum për të fituar këtë trofe të madh. Shpresoj, që një ditë të mund ta fitoj”.

Këto janë fjalët e Karim Benzema në një intervistë të dhënë për të përditshmen spanjolle “AS”. Sulmuesi francez i Realit të Madridit është në listën e 30 lojtarëve kandidatë për të fituar çmimin prestigjioz.

“Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit kënaqen me futbollin tim dhe e ndjejnë që jam i lumtur dhe krenar. Sot sulmuesit janë efikasë edhe pas moshës 30-vjeçare, janë në formë shumë të mirë dhe mund të shënojnë akoma shumë gola”, ka vazhduar sulmuesi.

Në lidhje me finalen e Nations League, që Franca e tij do të luajë kundër Spanjës, Benzema ka thënë: “Ata kanë një skuadër shumë të re, por me shumë talent dhe shpresoj që do të shohim një ndeshje të bukur, që do të gëzojë tifozët.

Unë në sulm ndihem shumë mirë dhe kënaqem kur luaj me Mbappe dhe Griezmann. I pari është një fenomen, i dyti lëviz shumë mirë në hapësirat e vogla”. /Oversport.tv