Berat Gjimshiti ndër më të vlerësuarit tek Atalanta, çfarë note i ka dhënë GDS

Atalanta mposhti 1-0 Young Boys falë një goli të Pessinas në minutën e 68-të të takimit, duke arritur kështu fitoren e parë në Champions League këtë sezon. Një sukses i merituar i skuadrës së Gasperinit, që dominoi të gjithë takimin përballë zvicerianëve.

Në vlerësimet që ka dhënë prestigjiozja “Gazzetta dello Sport” për këtë takim, notën maksimale e ka marrë Zapata (nota 8), për atë që dha në fushën e blertë.

E gjithë prapavija e skuadrës zikaltër ka marrë një vlerësim të lartë, me Toloin në krye me notën 7.5.

Një notë mjaft të mirë, ndër më të vlerësuarit e skuadrës (i treti në radhë), ka marrë edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, që luan për ngjyrat e Atalantës, Berat Gjimshiti.

“Elia (sulmuesi i  Young Boys) është një gjarpër, por edhe kur i largohet, e arrin kur është afër portës dhe e pengon aq sa duhet për të goditur jashtë”, shkruan Andrea Elefante, në vlerësimin që i bën paraqitjes së Gjimshitit, që ka marrë notën 7.

Një tjetër paraqitje shumë e mirë e mbrojtësit shqiptar, që tashmë është një titullar i padiskutueshëm i skuadrës së drejtuar nga Gasperini. / Oversport.tv