Berisha: Islanda e rrezikshme, por ne i kemi mundësitë për të fituar

Në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Islandës ka folur edhe kapiteni i kombëtares shqiptare Etrit Berisha, që gjithashtu është shfaqur shumë optimist në vigjilje të debutimit në Nations League.

“Kemi pasur kohë mjaftueshme për të përgatitur këtë ndeshje, jemi gati. Kemi bërë përgatitjet e fundit dhe shpresojmë të bëjmë ndeshje të bukur, si në ndeshjen ndaj Spanjës ku luajtëm futboll të zgjuar. Edhe nesër na duhet një ndeshje e tillë, se ekipi kundërshtar është i mirë, sidomos fizikisht, por ne duhet të hyjmë në ndeshje për të fituar lojën e pastaj mund të shpresojmë për kualifikim.

Islanda është gjithmonë e rrezikshme në shtëpi. Kemi parë edhe ndeshjen e fundit ndaj Izraelit, ku ishin duke fituar. Kanë lojtarë që mund të bëjnë diferencën, ne duhet të shohim rrugën tonë, jemi të përgatitur, kemi kualitet dhe kemi mundësi të mira për të fituar.

Ne duhet të shkojmë për t’u kualifikuar, jo vetëm të kalojmë grupin, por edhe të kualifikohemi në Europian se është dëshira e të gjithëve dhe për këtë punojmë, çdo gjë tjetër do të ishte dështim. Sepse kemi mundësinë, lojtarët e grupin, duhet të besojmë e fati duhet të na ndihmojë të ecim përpara.

Shpresoj të jetë ndryshe nga vizita e parë e imja këtu se e thashë që Islanda është një skuadër e vështirë sidomos në shtëpi, luan një futboll shumë fizik. Aty na u thyen shpresat që kishim për Botërorin, shpresoj që tani të jetë e kundërta dhe këtu të fillojë gjithçka dhe pas një rrugëtimi të gjatë të kualifikohemi”, ka thënë gardiani kuqezi. / Oversport.tv