Berisha ndal edhe Milanin, kuqezinjtë vënë në diskutim kreun e Serie A

Milani hedh një hap fals në garën për titullin kampion, pasi nuk arrin të marrë më shumë se një pikë në transfertën e “Olimpicos” përballë Torinos. Kuqezinjtë e Piolit barazojnë pa gola përballë skuadrës së Juric dhe vazhdojnë të ruajnë kreun e Serie A. Diferenca me rivalët e Interit është vetëm 2 pikë dhe nëse zikaltërit fitojnë ndeshjen e prapambetur atëherë kreu i renditjes nuk është më i “djallit”.

Milani ka luajtur më mirë, por ato raste që ka pasur për shënim janë ndalur nga Berisha, që ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Pavarësisht një dominimi të lehtë të kuqezinjve edhe Torino ka pasur shanset e saj, por Maignan është treguar në lartësinë e duhur kur është kërkuar ndërhyrja e tij.

Përfundon 0-0 pjesa e parë në “Olimpico” mes Torinos dhe Milanit. Kuqezinjtë janë ata që dominojnë lojën dhe mundohen disa herë që të jenë të rrezikshëm nga anët e Berishës. Por pavarësisht volumit të lojës, rastin më të mirë për shënim miqtë e kanë me Calabrian, por gardiani kuqezi grushton goditjen e tij. Torino mbrohet mirë dhe mundohet të zbresë në kundërsulm, duke krijuar rastet e saj. Ricci provon me një gjuajtje që përfundon jashtë, ndërsa Belotti me kokë nuk gjen kuadratin.

Vendasit nisin më mirë pjesën e dytë dhe shfaqen rrezikshëm në sulm. Maignan shpëton Milanin, duke i mohuar golin Vojvodës. Skuadrat hapen në fushë dhe loja bëhet më e bukur. Provon Giroud, por Berisha është në pozicion.

Tonali ka një mundësi të artë për të zhbllokuar këtë sfidë, por Berisha është i pakalueshëm. Torino përgjigjet me Belottin, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.

Loja ka ritëm dhe të dyja skuadrat kërkojnë që të marrin maksimumin nga kjo sfidë. Milani mundohet që të marrë një trepikësh të artë në luftën për titullin kampion, por edhe Torino zbret rrezikshëm në kundërsulm.

Pellegri tremb Milanin, futet në zonë dhe gjuan, por Maignan pret në 2 kohë. Po afron fundi i ndeshjes dhe Milani shton presionin në kërkim të golit të avantazhit. Kuqezinjtë pretendojnë një penallti, por për gjyqtarin Doveri nuk ka faull ndaj Messias. Provon edhe Giroud me kokë, por gjuajtja e tij pritet lehtësisht nga Berisha.

Nuk mjaftojnë as 5 minuta shtesë për të ndryshuar fatin e kësaj sfide që mbyllet ashtu siç nisi, në barazim 0-0. Pas barazimit pa gola ndaj Bolognas, Milani humbet 2 pikë të tjera në garën për titull, ndërsa Torino tregon edhe një herë se është një kockë e fortë për çdo kundërshtar.