Berrettini tërhiqet edhe nga Kupa Davis: Do të rikthehem edhe më i fortë

Pas tërheqjes nga Atp Finals për shkak të një dëmtimi në muskujt e barkut, që pësoi në ndeshjen e parë në grup kundër Zverev, Matteo Berrettini ngre flamurin e bardhë dhe heq dorë edhe nga Kupa Davis.

“Ka qenë një vit fantastik, plot me emocione, fitore, humbje të dhimbshme dhe për fat të keq dëmtime. Pikërisht këto të fundit janë arsyeja pse nuk mund të marr pjesë në Kupën Davis këtë vit”, ka shkruar tenisti italian në profilin e tij në Instagram.

“Kjo që po shkruaj është gjëja e fundit që doja të njoftoja për të mbyllur sezonin më të mirë të karrierës sime. Është e kotë të them se sa të dhimbshme dhe të vuajtura kanë qenë këto ditë, mes gjithë skenarëve të mundshëm, ky është më i vështiri për tu pranuar.

Po ndalem, por për të rinisur më i fortë dhe për ti dhuruar vetes dhe të gjithëve ju fitore dhe emocione akoma më të mëdha. Skuadra jonë është një nga më të fortat dhe jam i sigurtë që do të ngrejë lart flamurin tonë kombëtar”, ka vazhduar numri një i tenisit italian.

“Viti 2021 mbaron këtu për mua me shumë keqardhje, por kur kthej kokën pas jam krenar për rrugën që kam bërë, prandaj faleminderit të gjithëve, skuadrës sime dhe familjes sime për mbështetjen që më keni dhënë në këto ditë”, mbyllet mesazhi i Berrettinit. /Oversport.tv