Besa prish festën e Skënderbeut, Oriku dhe Turbina bien në Kategorinë e Dytë

Skënderbeu nuk arrin të festojë titullin kampion (kujtojmë që korçarët janë ngjitur në Superiore), pasi mposhtet në shtëpi 0-1 nga Besa. Zvogëlohet në 1 pikë diferenca me Dinamon e vendit të dytë dhe skuadra kampione e Kategorisë së Parë do të vendoset në javën e fundit të kampionatit. Besa merr një trepikësh të çmuar në Korçë dhe mban gjallë shpresat për një vend në Play Off.

Flamurtari fiton 3-0 në Lezhë përballë Besëlidhjes së vendit të fundit dhe ruan vendin e tretë në renditjen e Kategorisë së Parë. Vlonjatët kanë siguruar pjesëmarrjen në Play Off, por duhet të mbyllin sezonin në vendin e tretë që të jenë më të avantazhuar në ndeshjet që do të luhen në Play Off.

Apolonia fiton 1-0 sfidën ndaj Luzit, parakalon kavajasit në renditje dhe futet në zonën e Play Off-it. Edhe Tomori siguron një vend në Play Off, pasi ka fituar 3-1 përballjen direkte ndaj Korabit. Dibranët mbeten në gjashtëshen e parë, por do të vendoset javën e fundit nëse do të luajnë në Play Off apo jo.

Burreli ka fituar 4-1 derbin e mbijetesës përballë Turbinës dhe ka evituar rënien direkte në Kategorinë inferiore. Matjanët mund të evitojnë edhe zonën Play Off, në javën e fundit të kampionatit. Pas kësaj disfate Turbina bie zyrtarisht në Kategorinë e Dytë.

Oriku fiton 4-2 përballë Lushnjës, por pavarësisht këtij suksesi nuk arrin që të evitojë rënien në Kategorinë e Dytë. Lushnja mbetet në zonën e Play Out-it pas kësaj humbjeje.

Pas përfundimit të javës së parafundit mësohen emrat e katër skuadrave që bien në Kategorinë e Dytë (Tërbuni, Besëlidhja, Oriku dhe Turbina), ndërsa lufta për një vend në zonën Play Off dhe Play Out nuk ka përfunduar akoma. / Oversport.tv